Qark & Qarkull

Hyrje » Problematika shqiptare

Arkiva Kategorie: Problematika shqiptare

Drejt fashizmit?!

Drejt fashizmit?!

nga Gentian Kaprata

Një nga tezat më të përdorura nga z. Rama në fillesën e tij si politikan ishte etiketa ‘se ai nuk ishte një politikan’. Shumëkush e lexonte këtë si një mënyrë për të krijuar një diferencë mes tij dhe gjithë politikanëve të tjerë, porse ka një arsye më tepër. Kur Partia Socialiste e emëroi ministër dhe më tej e kandidoi për kryebashkiak, papritur z. Rama e gjeti veten në një “stan” për të cilin nuk kishte lënë akuzë e ofendim pa bërë vetëm pak vite më parë.

Çka e vendoste në një pozicion të vështirë moral përpara publikut, e veçanërisht votuesit të majtë. Në përgjigje të kësaj, z. Rama shpiku dhe përdori masivisht konceptin e ‘po bëj politikë, por nuk jam politikan’. Imagjinoni sikur në fillim të një ndërhyrjeje kirurgjikale mjeku të të thotë “unë do të operoj, por nuk jam kirurg”! Shqetësuese! Sidoqoftë, gjërat evoluuan dhe z. Rama nuk mund të përdorte të njëjtin argument kur u bë kryetar i “stanit socialist”. Në këtë pikë i erdhi në ndihmë ‘Rruga e Tretë’.

Një teori politike që kërkon të “pajtojë” të majtën dhe të djathtën në një qasje të vetme qeverisëse. Mirëpo, edhe kjo nuk i bënte shumë punë. Z. Rama, praktikisht i nevojitej një rrugë jashtë të tërës (spektrit politik) dhe jo brenda saj. Kështu doli në skenë teoria e ‘përtej së majtës dhe së djathtës’, kuptimin praktik të së cilës askush nuk di të ta thotë. Çka është gjithashtu shqetësuese. Mirëpo, vërtet nuk kemi kuptimin praktik të një teorie, porse kemi praktikat qeverisëse të autorit të saj.

Mjafton t’i vëzhgojmë ato, për të dalë në përfundimin se çfarë mund të nënkuptojmë dhe ku mund ta pozicionojmë këtë teori. Për të qenë ekstremisht seriozë, sikurse tema e kërkon, nuk do vëzhgojmë veprimet konkrete qeverisëse në territor, por aktet ligjore që kjo qeverisje po prodhon. Sepse janë ato që të shfaqin kuptimin afatgjatë të një identiteti politik.  E nisim me Kodin Civil të Republikës. Në 1 Shkurt të këtij viti hyjnë në fuqi disa ndryshime në lidhje me ndëshkimin që ligji duhet t’u japë individëve që ndërtojnë pa leje.

Sipas këtyre ndryshimeve, ndërtimi pa leje nuk do të dënohet më me gjobë, por me burg. Pra, nëse një qytetar që nuk arrin të pajiset me një leje burokratike për të ushtruar të drejtën natyrore, për të zhvilluar pronën e tij, duhet thjesht të pajtohet dhe të bashkëjetojë me ëndrrën qeverisëse “të të bërit shtet”. Në të kundërt, nëse guxon jashtë këtyre kufizimeve që qeverisja u ka vënë çështjeve ndërtimore, qytetari shkon në burg nga një deri në pesë vjet. Ndëshkim, i cili do të mund të ushtrohet vetëm sipas legjislacionit të Shqipërisë “demokratike” të vitit 2015, por jo sipas atij të Shqipërisë komuniste. Sepse sipas nenit 16 të ligjit të vitit 1978, një ndërtues pa leje mund të dënohej ‘me qortim shoqëror ose me gjobë deri në 1000 lekë’.

Vazhdojmë me ligjin “Për planifikimin e territorit”. Edhe në këtë rast, frymëzimi bolshevik nuk është i mjaftueshëm për qeverisjen e sotme. Duhet shkuar më tej. Ndërsa ekuivalenti i vitit 1978 nëpërmjet nenit 6 të tij, i atribuon ‘komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit’ apo ‘Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe Ministrisë së Brendshme’ detyrën e miratimit të disa planeve rregulluese, ligji i ri nuk “guxon”. Ai, këtë fushë veprimtarie qeverisëse ia “beson” vetëm ekuivalentit të sotëm të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT). Për të mos folur për lejedhënien ndërtimore. Në asnjë prej dispozitave që normonin këtë funksion qeverisës, të ligjit të 1978, nuk shfaqet termi ‘Kryesia e Këshillit të Ministrave’.

Ndërsa sipas ligjit “Europian”, i mbështetur në filozofinë ‘përtej së majtës e së djathtës’, KKT duhet ta ushtrojë këtë funksion lokal qeverisës. Në mbyllje të këtij vëzhgimi të shkurtër por shumë intensiv, mund të guxojmë e të themi se teza ‘përtej së majtës e së djathtës’ e z. Rama, merr kuptimin e përtej bolshevizmit. Përtej bolshevizmit, por, sidoqoftë, në kornizën e kolektivizmit dhe centralizmit të thellë të vendimmarrjes qeverisëse. Dhe më në të majtë se bolshevizmi, të paktën në njohjen time, qëndron murtaja tjetër që iu shpif botës pas Luftës së Parë.

fashizmiDer echte Sozialismus/ real socialism/ socializmi i vërtetë/ Fashizmi. Po. Të paktën për mua dhe z. Hitler, i cili shprehej se ‘e tërë filozofia e Nacional Socializmit’ ishte bazuar te ‘Marksizmi’. Bile, sikurse një student i mirë që tejkalon mësuesin, z. Hitler kishte gjetur edhe gabimin në teorinë e Marksit. Gabim që ai e rregulloi, dhe ndoshta edhe z. Rama po e bën, duke zëvendësuar ‘luftën e klasave’ me ‘shfrytëzimin e kapitalit privat për unitetin dhe të mirën kombëtare’.

Burimi: MAPO, 2 shkurt 2015

(më tepër…)

I mbrojtur: Përse Ardian Vehbiu kërkon të baltosi Ismail Kadarenë?

Kjo lëndë mbrohet me fjalëkalim. Për ta parë, ju lutemi, jepni më poshtë fjalëkalimin tuaj: