Hyrje » Politikë
Arkiva Kategorie: Politikë
Mister Farage, të shpjegoj përse nuk duhet të bësh aleancë me Grillon
Mister Farage, të shpjegoj përse nuk duhet të bësh aleancë me Grillon
Letër nga anglezi tek anglezi për liderin e Ukip: Beppe është një fyelltar magjik me ide fashiste. Mbi euron, imigrantët dhe ambientin nuk keni asgjë të përbashkët. Më mirë Madame Le Pen.
Nicholas Farrell
My dear Nigel,
ne të dy jemi të së njëjtës konte, Kent, në juglindje të Britanisë të Madhe ende të madhe (pavarësisht gjithçkaje, mbi të gjitha i mallkuari BE) përtej la Manshit.
Më tepër, që të dy, duke qenë Men of Kent doc, kemi edhe një pasion për birrën dhe për cigaret, i ushqyer – jam i sigurt- nga një filozofi jete e veçantë por e përbashkët: për njerëz si ne, të pish dhe të tymosësh, në ditët e sotme, është një akt revolucionar në emër të lirisë.
Pra, dëgjomë, old trout. Unë i njoh pulat e mia. Banoj në Itali prej ca kohësh. Dhe të them: qëndro larg – të rekomandoj – nga ai fyelltari Hamelin Beppe Grillo. Braktisi menjëherë negociatat e tua me këtë kundravajtës të maskuar nga Gjenova. Të shpjegoj. Nuk flitet shumë, por Grillo është dënuar për vrasje me qëllim në vitet ’80. Ishte në kodër, një natë dimri, në timon të fuoristradës së tij dhe makina kishte përfunduar në një luginë të thellë. Të vdekur të tre pasagjerët, miq të tij: baba, mëma dhe biri. Nuk ka shkuar kurrë në burg. Më keq, akoma, nuk ka krijuar asnjëherë kontakt me bijën tjetër të çiftit, tanimë një grua, që nuk ishte në makinë atë natë – e mbetur jetime. Nigel, old boy, më thuaj ti: në çfarë gjendje është një njeri që bën kështu? (më tepër…)
Letër nga ferri e Enver Hoxhës për Edi Ramën
Fatos Lubonja – “Letër nga ferri e Enver Hoxhës për Edi Ramën”

Edi Rama
“I dashur Edi, Ishte një moment i veçantë i jetës sime këtu në Ferr kur të pashë, së bashku me Saliun dhe gjithë shokët e tjerë, në homazhet e artistes sonë të madhe të popullit, Vaçe Zela. U përlota, Edi i dashur, jo vetëm nga kujtimet për atë kohë të artë të popullit shqiptar, që vërshuan e më zunë grykën deri në ngashërim, por edhe për faktin që ju pashë bashkë. Mos harro Edi, asnjëherë, se ju jeni bijtë tanë, me gjithë kontradiktat që keni. Partia, unë dhe shoku Ramiz pas meje, kanë bërë kujdes që pushteti të mos shkonte kurrë në duart e armiqve. Ata më të rrezikshmit i “dekoruam”, të tjerët i kalbëm nëpër burgje e internime e i bëmë që të mos i duhen as dreqit.
Saliu e ka ruajtur më së miri vazhdimësinë e pushtetit tonë dhe ja tani është radha jote, Edi, që je më i ri, më energjik dhe më i përgatitur për të përballuar rreziqet që i kanosen Partisë dhe atdheut tonë të dashur nga armiqtë tanë të brendshëm dhe të jashtëm. Sepse ti Edi ke pasur ca lajthitje në fillim. Je tallur me artistët dhe shkrimtarët tanë të mëdhenj dhe veprat e tyre, madje je bërë edhe me armiqtë për një kohë të shkurtër, kur ata tentuan të krijojnë atë Partinë reaksionare Kristian-Islamike, që e pe vetë si përfundoi. Sikur të kishe vazhduar në atë rrugë, sot do ishe duke lypur nëpër galeritë e botës, të të varnin ndonjë pikturë në mur, kurse shiko ç’të bëri Partia jonë, të bëri Kryeministër, të bëri dhe artist të madh, aq sa pikturove gjithë Tiranën dhe u bëre i famshëm në botë.
Prandaj mos e harro kurrë forcën e Partisë që qëndron pikërisht te njerëzit e mrekullueshëm që ajo ka edukuar nëpërmjet punës, por edhe nëpërmjet artit dhe letërsisë sonë revolucionare. Mos u shkëput kurrë nga këta njerëz. Lamtumira që ju i dhatë Vaçes ishte shumë inkurajuese për mua. Edhe Nexhmija ishte emocionuar shumë. Sepse ti nuk e merr dot me mend se çfarë ngushëllimi është për mua, i zhytur nga mesi e poshtë në llumrat e zeza të Ferrit të një gjaku të prishur që kundërmon erë, dhe i përvëluar nga mesi e lart në flakë të tmerrshme, kur shoh kolegët e mi këtu jo vetëm të vuajnë këto tmerre, por edhe të shohin se ç’bëjnë të gjallët me kujtimin dhe veprën e tyre.
Pse, si mendon ti, Edi, se në Gjermaninë e Hiterit apo Italinë e Musolinit dhe po ashtu në Poloni, Hungari, Çeki e gjetkë nuk ka pasur këngëtarë të talentuar që u kanë kënduar këngë udhëheqësve dhe lavdisë së tyre? Pa dyshim që po. Por shumica janë varrosur bashkë me ato regjime, kurse unë, kur dëgjoj këngët tona, për mua, Partinë, atdheun, socializmin dhe veprat e mëdha që ndërtuam së bashku të jehojnë nëpër televizionet dhe radiot tona (tani së fundmi ka hyrë edhe këtu interneti dhe i shoh edhe atje), nuk e ke idenë se sa inkurajohem. Shoh Hitlerin, Musolinin, Frankon, Stalinin, Brezhnjevin, Gomulkën, Kadarin të pashpresë dhe ndihem ndryshe nga ata. Kam gjithnjë e më shumë shpresa për të ardhmen.
Sepse, dua të të them edhe diçka, i dashur Edi. Dantja është një gënjeshtar i pacipë. Nuk është e vërtetë ajo që ka shkruar ai sikur në portën e Ferrit shkruhet “O ju që hyni, braktisni çdo shpresë!”. E kam parë vetë që s’kishte gjë të tillë tek ajo portë. Në fakt, herë pas here, ky i madhi që kemi këtu, bën edhe rishikime dënimesh. Dhe a e di ku bazohet? Në atë që thoni e bëni për ne ju të gjallët atje. Sepse mos kujto se Ai nuk ndikohet, siç thuhet atje. Ndikohet që ç’ke me të, sidomos nga mediat dhe intelektualët.
Prandaj, kujdes mediat dhe intelektualët Edi, mos i lësho nga duart asnjëherë, të t’i marrë armiku, kundërrevolucioni. Mbaje lart frymën revolucionare! Edhe mediat perëndimorët mos i harro, mos kurse as euro, as dollarë për këtë. Megjithëse e di se për këtë ty s’ta ha qeni shkopin. Më tepër të kam merak një gjë tjetër: kujdes, ti e di mirë që unë thosha gjithmonë “Partia”, jo “unë”, veçanërisht kur eliminoja tradhtarët e partisë. Kjo është një nga gjërat që Saliu nuk e mësoi dot kurrë. E ke edhe ti këtë defekt. Korrigjoje sa më parë. Sikundër po të thosha pra, me mediat dhe inteligjencien popullore me vete jo vetëm popullin do ta kemi gjithnjë grusht çeliku rreth Partisë, por edhe Zotin do ta bëjmë me ne.
Ja, pas fitores tënde, veçanërisht kur pa fotografinë time te Varrezat e Dëshmorëve, Ai m’i ka kursyer disa nga flakët më të tmerrshme të Ferrit – nga ato që e kanë bërë Hitlerin të pendohet që ka lindur. Më krijoi edhe mundësinë e një takimi me Maon, që e trajton shumë ndryshe pikërisht pse kinezët vazhdojnë ta adhurojnë. S’e kisha takuar ndonjëherë sa qemë gjallë. Por kishte rrjedhur fare, fliste vetëm për dashnoret, asnjë fjalë për fitoren e borgjezisë dhe humbjen e revolucionit tonë. Pra, unë, të them të drejtën, kam shumë shpresë se qëndrimi im këtu do të rishikohet, pasi ka qenë një padrejtësi e madhe ajo që u bë ndaj meje.
Keni faj edhe ju që nënvleftësuat në ato fillime forcën e Partisë e kujtuat se do të përfitonit duke e mohuar atë e duke u bashkuar me armiqtë që hodhën parullat Enver- Hitler dhe më përmbysën shtatoren në qendër të Tiranës. Sot po kujtoheni për vlerat e mia gjithnjë e më shumë. Ja, ndodhi vdekja e Vaçes dhe u kujtuat prape se – siç ua thoshte edhe Nexhmija – jam unë, ai dashamirës i madh i kulturës, artit që i kam mbështetur këta artistë që ju sot i adhuroni, që i kam ndjekur personalisht festivalet e koncertet e tyre në salla, i kam përgëzuar; jam kujdesur, së bashku me Nexhmijen, edhe për problemet e tyre familjare, për strehimin e plot e plot probleme të tjera.
Po titullin “Artist i Popullit” kush ua dha? Mendon ti se e merrnin dot ata pa kaluar në filtrat e Partisë, të Sigurimit e pa aprovimin tim? Po e mbyll këtë letër duke të porositur ta mbash Partinë bashkuar, Edi. Edhe me Ilirin, të cilit bëji shumë të fala nga ana ime dhe falënderoje që kurrë s’e ka prishur gjuhën me mua, por kërkon që figura ime të rivlerësohet, të bashkohesh sa më parë. Por ëndrra ime finale është t’ju shoh përsëri të gjithë bashkë, edhe me Saliun. Siç e pe, ajo parulla “pluralizëm i mendimit; jo pluralizëm partiak”, që hodhi Ramizi me intelektualët tanë të shquar, për t’ua hedhur imperialistëve dhe revizionistëve në ato ditë të vështira për Marksizëm-Leninizmin e vërtetë, kur u pa se nuk e mbanim dot më pushtetin me forcat tona, dështoi.
Ajo që funksionoi ishte prapë dredhia ime që ia këshillova Saliut në letrat e para që i kam dërguar që këtej: “pluralizëm partiak pa pluralizëm mendimi”. Saliu tregoi se ishte kockë e fortë, nuk e hëngri sapunin e revizionizmit për djathë. Nën udhëheqjen e tij ju vazhduat të mendoni të gjithë sipas mësimeve të Partisë dhe të miat. Sot ka ardhur koha, siç e treguat edhe në funeralin e Vaçes, që të bashkoheni të gjithë përsëri në një parti të vetme me në krye ty, Edi, që për hir të së vërtetës duhet të them se të kam më për zemër, se je djalë më i zgjuar dhe më me shije se Saliu, se ai ishte ca avdall. Jam i bindur se ti do të ndreqësh së shpejti edhe gabimet që janë bërë ndaj meje; dhe Zoti, duke parë këtë, do të më çlirojë nga flakët e Ferrit dhe llumi i gjakut të ndyrë, kundërmues ku më ka zhytur dhe do të më kalojë në purgator, ku unë do të jetoj me shpresën se brezat e rinj, që po edukohen nën kujdesin tuaj, do të më çojnë më në fund në Parajsë, ku një ditë do të takohemi së bashku me ty, me Saliun, Ilirin, Nexhmijen e të gjithë shokët.
Përshëndetje revolucionare, I juaji Enver”
* [Nga Panorama.com.al. Botuar këtu pa leje nga gazeta Panorama apo Autori.]