Qark & Qarkull

Hyrje » Moral & Etikë

Arkiva Kategorie: Moral & Etikë

Liberali kundër “komisarit të vogël politik të feminizmit radikal”

Liberali kundër “komisarit të vogël politik të feminizmit radikal”

nga Nicoletta Tiliacos (Il Foglio)

Sa për të përgënjeshtruar ata që shikojnë vetëm “ripërtypje reaksionare” në lëvizjen franceze kundër “Abcd de l’égalité” (Abcd-së së barazisë) – programi shkollor i futur këtë vit në shkollat parësore nga ministri i Edukimit Vincent /Pellion – një nga kritikat më të përpikta të nismës vjen nga një intelektual, dyzetëetetë vjeçari Eric Deschavanne, docent Filozofie në Paris IV Sorbonë, që kështu, pak përket me karikaturën e “vandeanit*”, i rreshtuar një vit më parë, në favor të ligjit Taubira që futi martesën gay. Sot është ai, liberali Deschavanne, që nga webfaqja Atlantico.fr akuzon Pelion-in se “ka futur duart në një nismë instrumentalizimi ideologjik të shkollës që përbën një atentat ndaj idealit republikan të laicitetit”.

“Shkolla – shkruan Deschavanne – është një e mirë e përbashkët që ministri i Edukimit kombëtar ka detyrën e shenjtë të mbrojë nga uria e ideologëve që shikojnë në të vetëm një instrument që mundëson të vepruarit mbi shpirtrat për të transformuar shoqërinë”. Kështu, nuk është e pranueshme “që mazhorancat që pasojnë njëra-tjetrën të përvetësojnë shkollën duke kërkuar të imponojnë vizionin e tyre të shoqërisë”, ndërsa është çka ka bërë Pellion-i, duke e vendosur “shkollën në shërbim të një sulmi ideologjik të tërthortë vatra e zjarrit të të cilit është feminizmi radikal që prosperon në brendësi së ministrisë së të Drejtave të grave ( e cila, për të qenë të saktë, themelohet mbi një stereotip seksist autentik, ai i “seksit të dobët” që do të duuhej të mbrohej nga vetvetja)”.

Në mbështetje të gjykimit të vet, Deschavanne fton me qenë pertinent me tekstet zyrtare, në veçanti me “konvencionin ndërministror” nga i cili ka fillesë projekti i “Abcd-së së barazisë”. Nuk bëhet fjalë që të veprohet mbi të drejtat, tashmë të garantuara nga fakti se “vajzat futen në të njëjtat programe, në të njëjtat klasa dhe në të njëjtat shkolla të djemëve. Dhe as nuk mund të jetë një çështje barazie të mundësive: vajzat, në të gjitha nivelet, tashmë dalin më mirë se djamtë”.

Por burrokratit në humor korrektimi të ndërgjegjjeve nuk i mjafton, dhe paralajmëron: “paradoski është i njohur: vajzat kanë rezultate shkollore më të mira por zgjedhjet e tyre të orientimit mbeten tepër tradicionale dhe shumë shpesh të kufizuara në pak sektorë aktiviteti”. Thënë me fjalë të tjera, shkruan Deschavanne, “pabarazia qëndron në përdorimin e keq që vajzat bëjnë me lirinë e tyre!”. Është kështu që, me pretendimin e rrëzimit të stereotipave gjinore, propozohet një stereotip i madh sa një pallat, duke i prezantuar gratë “si viktima të vet-diskriminimeve, të diskriminimeve për të cilët janë përgjegjëse ato vet”. Me paradoksin që “pretendohet të përkufizohet a priori çka duhet të jetë përmbajtja e lirisë së zgjedhjes së individëve”. Në vizionin e ministrave Peillon dhe Vallaud-Belkacem (Të Drejtat e grave), e derdhur në groteskun “Abcd të barazisë”, “çdo grua e re që nuk i konformon zgjedhjet e veta të orientimit dhe të karrierës me modelin zyrtar të gruas së emancipuar trajtohet si viktimë e stereotipave të pandërgjegjshëm seksistë”. Deschavanne lëndon: “feminizmi qeveritar pushon mbi një ide të thjeshtë: paragjykime dhe stereotipa seksistë, të ankoruar në të pandërgjegjshmen kolektive, janë burimi i diskriminimeve dhe, për këtë, duhen luftuar që nga mosha më e butë”. Asgjë dhe askush nuk mund të refuzojë, nëse i referohemi tekstit të konvecionit ndërministror, që reciton kështu: “Praktikat e zakonshme në klasë përbëjnë shpesh fenomene seksiste, pa domosdoshmërinë që për to jenë të ndërgjegjshëm mësuesit, bashkësia e aktorëve të edukimit, nxënësit dhe familjet e tyre.”

Por, asnjë frikë. Të vetmit që bëjnë përjashtim janë feministët e qeverisë, të lëshuar në detyrën titanike të “të psikanalizuarit të mësuesve dhe edukuarit të fëmijëve, për të ndërhyrë drejtëpërdrejtë në mënyrën e të jetuarit dhe të menduarit”. Prej liberali të mirë, Deschavanne kujton se “në përgjithësi, ideja se mund të ndryshohen traditat me dekret, duke kundërshtuar ndikimin e familjes dhe të shoqërisë, është një iluzion. Nuk ia kanë dalë as liderët më totalitarë”. Shton edhe se “disa orë ‘dekonstruksioni’ të stereotipave gjinore nuk do të jenë të rrezikshme për fëmijët” dhe se pasojat më patëkeqe të operacionit i përkasin humbjes së besueshmërisë së shkollës franceze: “Pohimet e Peillon-it nuk duken të diktuara nga nevojat e funksionit të saj por nga vokacioni prej komisari të vogël politik të feminizmit radikal”.

  • [I rajonit francez të Vandeas. Reaksionari i përbetuar. Klerik. Etj.]

Përktheu: Robert Haku

Letër nga ferri e Enver Hoxhës për Edi Ramën

Fatos Lubonja – “Letër nga ferri e Enver Hoxhës për Edi Ramën”

Edi Rama

Edi Rama

“I dashur Edi, Ishte një moment i veçantë i jetës sime këtu në Ferr kur të pashë, së bashku me Saliun dhe gjithë shokët e tjerë, në homazhet e artistes sonë të madhe të popullit, Vaçe Zela. U përlota, Edi i dashur, jo vetëm nga kujtimet për atë kohë të artë të popullit shqiptar, që vërshuan e më zunë grykën deri në ngashërim, por edhe për faktin që ju pashë bashkë. Mos harro Edi, asnjëherë, se ju jeni bijtë tanë, me gjithë kontradiktat që keni. Partia, unë dhe shoku Ramiz pas meje, kanë bërë kujdes që pushteti të mos shkonte kurrë në duart e armiqve. Ata më të rrezikshmit i “dekoruam”, të tjerët i kalbëm nëpër burgje e internime e i bëmë që të mos i duhen as dreqit.

Saliu e ka ruajtur më së miri vazhdimësinë e pushtetit tonë dhe ja tani është radha jote, Edi, që je më i ri, më energjik dhe më i përgatitur për të përballuar rreziqet që i kanosen Partisë dhe atdheut tonë të dashur nga armiqtë tanë të brendshëm dhe të jashtëm. Sepse ti Edi ke pasur ca lajthitje në fillim. Je tallur me artistët dhe shkrimtarët tanë të mëdhenj dhe veprat e tyre, madje je bërë edhe me armiqtë për një kohë të shkurtër, kur ata tentuan të krijojnë atë Partinë reaksionare Kristian-Islamike, që e pe vetë si përfundoi. Sikur të kishe vazhduar në atë rrugë, sot do ishe duke lypur nëpër galeritë e botës, të të varnin ndonjë pikturë në mur, kurse shiko ç’të bëri Partia jonë, të bëri Kryeministër, të bëri dhe artist të madh, aq sa pikturove gjithë Tiranën dhe u bëre i famshëm në botë.

Prandaj mos e harro kurrë forcën e Partisë që qëndron pikërisht te njerëzit e mrekullueshëm që ajo ka edukuar nëpërmjet punës, por edhe nëpërmjet artit dhe letërsisë sonë revolucionare. Mos u shkëput kurrë nga këta njerëz. Lamtumira që ju i dhatë Vaçes ishte shumë inkurajuese për mua. Edhe Nexhmija ishte emocionuar shumë. Sepse ti nuk e merr dot me mend se çfarë ngushëllimi është për mua, i zhytur nga mesi e poshtë në llumrat e zeza të Ferrit të një gjaku të prishur që kundërmon erë, dhe i përvëluar nga mesi e lart në flakë të tmerrshme, kur shoh kolegët e mi këtu jo vetëm të vuajnë këto tmerre, por edhe të shohin se ç’bëjnë të gjallët me kujtimin dhe veprën e tyre.

Pse, si mendon ti, Edi, se në Gjermaninë e Hiterit apo Italinë e Musolinit dhe po ashtu në Poloni, Hungari, Çeki e gjetkë nuk ka pasur këngëtarë të talentuar që u kanë kënduar këngë udhëheqësve dhe lavdisë së tyre? Pa dyshim që po. Por shumica janë varrosur bashkë me ato regjime, kurse unë, kur dëgjoj këngët tona, për mua, Partinë, atdheun, socializmin dhe veprat e mëdha që ndërtuam së bashku të jehojnë nëpër televizionet dhe radiot tona (tani së fundmi ka hyrë edhe këtu interneti dhe i shoh edhe atje), nuk e ke idenë se sa inkurajohem. Shoh Hitlerin, Musolinin, Frankon, Stalinin, Brezhnjevin, Gomulkën, Kadarin të pashpresë dhe ndihem ndryshe nga ata. Kam gjithnjë e më shumë shpresa për të ardhmen.

Sepse, dua të të them edhe diçka, i dashur Edi. Dantja është një gënjeshtar i pacipë. Nuk është e vërtetë ajo që ka shkruar ai sikur në portën e Ferrit shkruhet “O ju që hyni, braktisni çdo shpresë!”. E kam parë vetë që s’kishte gjë të tillë tek ajo portë. Në fakt, herë pas here, ky i madhi që kemi këtu, bën edhe rishikime dënimesh. Dhe a e di ku bazohet? Në atë që thoni e bëni për ne ju të gjallët atje. Sepse mos kujto se Ai nuk ndikohet, siç thuhet atje. Ndikohet që ç’ke me të, sidomos nga mediat dhe intelektualët.

Prandaj, kujdes mediat dhe intelektualët Edi, mos i lësho nga duart asnjëherë, të t’i marrë armiku, kundërrevolucioni. Mbaje lart frymën revolucionare! Edhe mediat perëndimorët mos i harro, mos kurse as euro, as dollarë për këtë. Megjithëse e di se për këtë ty s’ta ha qeni shkopin. Më tepër të kam merak një gjë tjetër: kujdes, ti e di mirë që unë thosha gjithmonë “Partia”, jo “unë”, veçanërisht kur eliminoja tradhtarët e partisë. Kjo është një nga gjërat që Saliu nuk e mësoi dot kurrë. E ke edhe ti këtë defekt. Korrigjoje sa më parë. Sikundër po të thosha pra, me mediat dhe inteligjencien popullore me vete jo vetëm popullin do ta kemi gjithnjë grusht çeliku rreth Partisë, por edhe Zotin do ta bëjmë me ne.

Ja, pas fitores tënde, veçanërisht kur pa fotografinë time te Varrezat e Dëshmorëve, Ai m’i ka kursyer disa nga flakët më të tmerrshme të Ferrit – nga ato që e kanë bërë Hitlerin të pendohet që ka lindur. Më krijoi edhe mundësinë e një takimi me Maon, që e trajton shumë ndryshe pikërisht pse kinezët vazhdojnë ta adhurojnë. S’e kisha takuar ndonjëherë sa qemë gjallë. Por kishte rrjedhur fare, fliste vetëm për dashnoret, asnjë fjalë për fitoren e borgjezisë dhe humbjen e revolucionit tonë. Pra, unë, të them të drejtën, kam shumë shpresë se qëndrimi im këtu do të rishikohet, pasi ka qenë një padrejtësi e madhe ajo që u bë ndaj meje.

Keni faj edhe ju që nënvleftësuat në ato fillime forcën e Partisë e kujtuat se do të përfitonit duke e mohuar atë e duke u bashkuar me armiqtë që hodhën parullat Enver- Hitler dhe më përmbysën shtatoren në qendër të Tiranës. Sot po kujtoheni për vlerat e mia gjithnjë e më shumë. Ja, ndodhi vdekja e Vaçes dhe u kujtuat prape se – siç ua thoshte edhe Nexhmija – jam unë, ai dashamirës i madh i kulturës, artit që i kam mbështetur këta artistë që ju sot i adhuroni, që i kam ndjekur personalisht festivalet e koncertet e tyre në salla, i kam përgëzuar; jam kujdesur, së bashku me Nexhmijen, edhe për problemet e tyre familjare, për strehimin e plot e plot probleme të tjera.

Po titullin “Artist i Popullit” kush ua dha? Mendon ti se e merrnin dot ata pa kaluar në filtrat e Partisë, të Sigurimit e pa aprovimin tim? Po e mbyll këtë letër duke të porositur ta mbash Partinë bashkuar, Edi. Edhe me Ilirin, të cilit bëji shumë të fala nga ana ime dhe falënderoje që kurrë s’e ka prishur gjuhën me mua, por kërkon që figura ime të rivlerësohet, të bashkohesh sa më parë. Por ëndrra ime finale është t’ju shoh përsëri të gjithë bashkë, edhe me Saliun. Siç e pe, ajo parulla “pluralizëm i mendimit; jo pluralizëm partiak”, që hodhi Ramizi me intelektualët tanë të shquar, për t’ua hedhur imperialistëve dhe revizionistëve në ato ditë të vështira për Marksizëm-Leninizmin e vërtetë, kur u pa se nuk e mbanim dot më pushtetin me forcat tona, dështoi.

Ajo që funksionoi ishte prapë dredhia ime që ia këshillova Saliut në letrat e para që i kam dërguar që këtej: “pluralizëm partiak pa pluralizëm mendimi”. Saliu tregoi se ishte kockë e fortë, nuk e hëngri sapunin e revizionizmit për djathë. Nën udhëheqjen e tij ju vazhduat të mendoni të gjithë sipas mësimeve të Partisë dhe të miat. Sot ka ardhur koha, siç e treguat edhe në funeralin e Vaçes, që të bashkoheni të gjithë përsëri në një parti të vetme me në krye ty, Edi, që për hir të së vërtetës duhet të them se të kam më për zemër, se je djalë më i zgjuar dhe më me shije se Saliu, se ai ishte ca avdall. Jam i bindur se ti do të ndreqësh së shpejti edhe gabimet që janë bërë ndaj meje; dhe Zoti, duke parë këtë, do të më çlirojë nga flakët e Ferrit dhe llumi i gjakut të ndyrë, kundërmues ku më ka zhytur dhe do të më kalojë në purgator, ku unë do të jetoj me shpresën se brezat e rinj, që po edukohen nën kujdesin tuaj, do të më çojnë më në fund në Parajsë, ku një ditë do të takohemi së bashku me ty, me Saliun, Ilirin, Nexhmijen e të gjithë shokët.

Përshëndetje revolucionare, I juaji Enver”

* [Nga Panorama.com.al. Botuar këtu pa leje nga gazeta Panorama apo Autori.]

Epilogu i një përkujtimi

Epilogu i një përkujtimi*

Evis Nasto

Evis Nasto

Evis Nasto

Pak ditë më parë na u desh të përkujtonim një ngjarje të dhimbshme, e cila përfaqëson një përjashtim nga klisheja se “koha shëron çdo plagë”. E dini përse? Sepse për çudi, sa herë që 21 janari përkujtohet, pezmatimi përzihet me mllefin që rritet vit pas viti bashkë me ndërgjegjësimin për falsitetin e politikës. Këtë datë nuk e harrojmë dot sa kohë që së kaluarës nuk i është vënë kapak, por paradoksalisht as nuk e kujtojmë dot pa përdhosur katër viktimat e asaj ngjarjeje.

Ashtu sikurse çdo vit, edhe këtë herë dritat e prozhektorëve për të shprehur kinse solidaritetin e tyre i morën ata që yshtën turmën drejt bulevardit, ata që u shndërruan në shkak të manifestimit dhe ata që humbën kontrollin e situatës. Është e neveritshme sesi, ende pas tri vitesh kur kurmi i trupave që prehen nën dhe ka nisur procesin fiziologjik të tretjes, politika vazhdon të përdorë të njëjtin zhargon, duke i ndyrë edhe më tepër duart në një histori makinacionesh për pushtet. E meqë ferri ishte krahasimi që u përdor për drejtësinë e munguar për këtë ngjarje nga kreu i qeverisë, do të citoja sërish për paralelizëm kreun e lartë të një shteti tjetër, i cili, i gjendur përballë dhunës së skajshme që prodhonte racizmi në fillim të viteve ‘60 në Shtetet e Bashkuara, shkruante se vendi më i nxehtë në ferr u ruhet atyre që në periudha krizash të forta morale, mundohen të ruajnë neutralitetin. Sigurisht që lidhja me Shqipërinë nuk qëndron tek aparteidi i Amerikës së atyre viteve, por kriza e moralitetit që po prodhon kjo shoqëri me këtë klasë politike është krejtësisht e dukshme, veçanërisht kur preken kufijtë e vdekjes dhe me to luhet. E pra, në periudha krizash të tilla, fjalimet me dorashka, ku protagonistët dhe aktorët dytësorë mundohen të distancohen nga ngjarjet, dhe marrin thuprën e pseudomoralistit për të treguar shëmtinë e dramës njerëzore të asaj dite, është shkalla më epërme e ferrit shqiptar. Duhet të kesh stomak të fortë për të përtypur dogma të tilla për të tretin vit radhazi dhe aq më të fortë duhet të kesh vetëpërmbajtjen për të mos i pështyrë dyfytyrësisë së politikës. Gjithë artikulimi publik i udhëheqësve, të zgjedhur prej nesh, gjatë javës që lamë pas, ishte një mizori edhe më e madhe sesa shëmtia e vetë dhunës së 21 janarit. E drejtë mund të jetë pyetja: a duhej të heshtte politika në përkujtimin e ngjarjes? A mundet që kjo mazhorancë dhe kreu i saj të mos kujtonin një ndër çështjet kyçe gjatë fushatës opozitare? A ekzistonte mundësia që mos të reagohej më pas nga kundërshtarët politikë?

Nëse ndjekim linjën e racionalistëve praktike si Nikolo Makiaveli, atëherë pohojmë se qëllimi kryesor i politikanit është t’i sigurojë shtetit dhe komunitetit rendin publik. Ky objektiv duhet të shndërrohet në fokusin e punës së politikanit, pa përllogaritur disavantazhet që mund të sjellë për individin. Sipas Makiavelit, politika është një territor që vepron në mënyrë krejtësisht autonomë nga moraliteti. Thënë ndryshe, e rëndësishme, për mendimtarin Makiavel, mbetet qëllimi që justifikon përdorimin e çfarëdolloj mjeti. Cili ishte qëllimi që u arrit pas 21 janarit? Përpos kaosit, ndjesisë së hidhur të dhunës përzier me një reminishencë të ’97 –ës, nuk besoj se në nivel komunitar arriti të prodhonte gjë tjetër. Të njëjtën gjë mund të themi për shtetin. Institucionet e tij u tentuan të diskreditoheshin duke ju vënë në diskutim kapacitetet menaxhuese të një situate kritike. Edhe nëse politikanët tanë do të ishin të gjithë kandidatë për princër makiavelikë, mund të thuhet pa drojë se kanë tejkaluar edhe doktrinën më pragmatiste të periudhës mesjetare. Skenat që prodhoi ngjarjen  e 21 janarit, cilatdo qofshin rrethanat, tregoi dukshëm pas tre vjetësh se nuk ishte e orientuar kundrejt asnjë qëllim komunitar, ashtu sikurse pretendohej në kauzën e mëhershme me të cilën u drejtuan thirrjet për të dalë në shesh. Jo vetëm kaq, por ajo nuk i shërbeu as qëllimeve të ngushta të politikës për të marrë pushtetin, sepse në fund rotacioni u krye ashtu sikurse duhet të ndodhte në çdo vend demokratik të botës së lirë; përmes zgjedhjeve. Për familjarët e atyre katër viktimave që mbetën në atë bulevard, për ata njerëz që mbështetën atë ditë kauzën opozitare, por edhe për të gjithë shqiptarët që u bënë spektatorë të dhunës së padëshiruar, a mund të thotë sot, dikush pas tre vitesh, se për çfarë shërbeu e gjithë kjo?

Teksa dëgjoja të afërmit e Faik Myrtajt, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Ziver Veizit, të cilët në tymnajën e kësaj ngjarje gjysmë të ndriçuar, ende fajësonin vetëm njërën palë, mu kujtua një copëz historie që Joseph Ramoneda shkruante tek “Fundi i një pasioni politik”. Si ilustrim për despotizmin, ai përmendte një spanjoll të mërguar në Bashkimin Sovjetik, i cili edhe pse ishte i burgosur në një gulag, kujtonte me dhembje vdekjen e Stalinit. Pasi ky ishte i bindur se Stalini ishte i vetmi, që mund ta shpëtonte dhe se fatkeqësia e tij vinte nga papërgjegjshmëria e funksionarëve të mesëm të revolucionit proletar, të cilët qenë të korruptuar. Në mendjen e tij, ditën që Stalini do e merrte vesh se çfarë i kishte ndodhur, atëherë do të ndreqte këtë padrejtësi. Kjo varësi psikologjike ndaj pushtetit, në kushtet e pasigurisë totale është po kaq e rrezikshme edhe në Shqipëri. Ashtu sikurse në Spanjën dikur fashiste, edhe në një vend me një të kaluar diktatoriale sikurse është dhe shoqëria shqiptare, tundimi i pushtetit ndaj qenies despotik, jo rrallë gjatë këtyre 23 viteve ka treguar se është në gjendje të shkatërrojë moralin e të gjithëve,  duke molepsur jo vetëm viktimën por edhe xhelatin. Janë pikërisht marrëdhëniet e shfrytëzimit të ndërsjellë, ato që rrisin demoralizimin dhe bëjnë që kufijtë mes të fituarve dhe të humburve të zhduken. Njëzetenjë janari ishte një ditë ku padyshim që të gjithë humbëm. Në atë bulevard  së bashku me katër viktimat është vrarë besimi i njerëzve të thjeshtë dhe është thyer konsensusi që politika kishte me qytetarinë, në respekt të atyre parimeve që mishërojnë demokracinë.

*[Shkrimi është botuar tek gazeta MAPO. Përcillet këtu pa leje nga gazeta apo autorja.]