Qark & Qarkull

Hyrje » Mjekësi

Arkiva Kategorie: Mjekësi

Drejtë një diagnoze gjithnjë e më të hershme të autizmit

Drejtë një diagnoze gjithnjë e më të hershme të autizmit

Autizmi është një problem serioz për shumë familje. Dhe për shkencën është ende një vramendje me zgjidhje të vështirë. Studime të kohëve të fundit mbi origjinën gjenetike të sëmundjes tregokan se simptomat e para të autizmit shfaqen përpara lindjes, duke hapur kështu rrugën ndaj një diagnoze tepër të hershme.

Federico Baglioni – “Strade”

Pjesën më të madhe të rasteve kur flitet për autizmin flitet edhe për vaksinat. Kjo, që prej kohës kur i famshmi (me trishtim) mjek Andrew Wakefield publikoi në revistën Lancet një artikul që kërkonte të demonstronte një lidhje mes autizmit dhe vaksinës trevalente. Sot studimi është tërhequr dhe Wakefield nuk bën më pjesë në urdhërin e mjekëve, që kur u zbulua se të dhënat e përdorura për studimin në fjalë ishin të rreme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se autizmi nuk ekziston. Dhe mbi autizmin dihen ende shumë pak gjëra, aq sa ekziston një ditë botërore përkushtuar për rritjen e ndërgjegjësimit përreth ketij shqetësimi.

Pjesët e trurit të prekura nga autizmi

Pjesët e trurit të prekura nga autizmi

Fakti që dimë mjaft pak nuk habit nga momenti që deri në 1900 nuk ekzistonte as koncepti klinik i autizmit. Sot dimë se është një shqetësim neuro-psikiatrik dhe që ka të bëjë me funksionet cerebrale dhe i përket kategorisë më të përgjithshme të çrregullimeve të përhapura të zhvillimit. Simptomat e autistëve (subjekteve me autizëm), që shfaqen që vitet e para të jetës, janë tepër të larmishme: aftësi e kufizuar shprehie verbale, prirje drejt izolimit dhe mbylljes shoqërore, por edhe hipereksitim dhe sjellje obsesive.

Ka gradë dhe forma të ndryshe autizmi pak a shumë të rënda, dhe diagnoza është disi e ndërlikuar. Rritja e rasteve të zbuluara e ka transformuar autizmin nga problem “mes të shumtëve” në temë me domethënie të madhe dhe burim shqetësimi për familjet. Shqetësim serioz duke parë se nuk ekziston “pilula” që kuron autistët, pavarësisht se mund të drejtoheni nga soministrimi i ilaçeve të posaçëm për të reduktuar shqetësimet më problematike. (më tepër…)

Semiotika e dhimbjes

Semeiotika e dhimbjes

Blue Nude - Pablo P.

Blue Nude – Pablo P.

Dhimbja është një gjendje njerëzore e pranishme pothuaj kudo. Pa të rrezik nuk do të dinim të vlerësonim as jo-dhimbjen, pavarësisht formave në të cilat artikulohet kjo e fundit.

Dhimbja pra, meqënëse e kudondodhur dhe kurdondodhur është edhe një nga arsyet më të shpeshta për të cilat një pacient drejtohet për asistencë tek mjeku.

Sipas International Assiciacion for the Study of Pain, dhimbja përkufizohet si: “një eksperiencë ndijore dhe emotive e pakëndshme, e shoqëruar nga një dëm indor aktual apo aventual, apo e përshkruar në terma të një dëmi të tillë.”

Nga përkufizimi kuptohet se dhimbja është një fenomen kompleks, ndijor, emotiv, konjitiv e mbi të gjitha subjektiv. Dhimbja e perceptuar nga një pacient jo gjithnjë përket mirë me dëmin indor, e në disa raste ky nuk mund të identifikohet fare.

Dhimbja shërben edhe si shkak i mjaftë për humbjen e qetësisë e më tej produktivitetit në jetën personale-familjare dhe në punë, duke i shkaktuar kështu një dëm jo të paktë gjithë shoqërisë.

Përmirësimi i trajtimit të dhimbjes, edhe pse shpesh herë thjeshtë e vetëm simptomatik, kërkon para së gjithash një njohje dhe përdallim të saktë të llojeve të saj.

Zakonisht dhimbja ndahet në dy kategori: dhimbje noxiceptive dhe neuropatike.

Dhimbja noxiceptive induktohet kur receptorët noxiceptivë (noxa) stimulohen nga një proces indor dëmtues. Dhimbja noxiceptive, pra që varet nga stimuj dëmtues, klasifikohet më tej në dhimbje viscerale (e përbrendshme; që u përket organeve të brendshme, viscera) dhe somatike.

Pra, dhimbja viscerale (e përbrendshme) e ka origjinën në organet e brendshme; shpesh ka një lokalizim trashanik, jo të saktë, të shpërhapur dhe përshkruhet si ngërç-ngjashëm, shtypëse apo kolike nëse lind nga organet zgavrore (si kupshoreja veshkore, ureteri); ose përçarëse apo e shurdhët nëse dhimbja lind nga organe parenkimatoze, solide, si mëlçia për shembull.

Dhimbja somatike, në të kundërt, lokalizohet më mirë dhe përshkruhet si akute, përçarëse, e menjëhershme, pulastive apo e shurdhët.

Dhimbja neuropatike lind kur sistemi nervor qëndror apo periferik ka pësuar çrregullime fiziopatologjike, të cilat e bëjnë funksionimin e tij të pamundur apo jo-efektiv. Dhimbja me origjinë neuropatike përshkruhet si një ndjesi akute, pickuese, djegëse apo elektrike që në shumicën e rasteve rrezatohet në territorin e inervimit përkatës.

 

Dhimbja somatike dhe ajo e përbrendshme

Dhimbja somatike dhe ajo e përbrendshme paraqesin karakteristika të ndryshme, siç edhe thashë në shkrimin e mëparshëm, të cilat mund të ndihmojnë në dallimin e tyre.

Dhimbja somatike vjen nga struktura të inervuara nga nervat somatikë, si lëkura, muskujt, artikulacionet dhe nga nervat frenikë (të diafragmës). Dhimbja somatike është sipërfaqësore, e mirë lokalizuar dhe perceptohet ng apacienti si dypërmasore. Cilësitë që pacienti i jep dhimbjes somatike janë të tipit përçarës, piçkues e gjithsesi të ndryshueshme në varësi të stimulit dëmtues. Si refleks i dhimbjes somatike pacienti mund të vë re ngurtësi muskulore në zonën përkatëse.

Dhimbja e përbrendshme vjen nga struktura të inervuara nga fibra që shkojnë tek organet e brendshme, qofshin të tipit simpatik apo parasimpatik. Dhimbja e organeve të brendshme është e thellë dhe e keq-lokalizuar dhe perceptohet nga pacienti si trepërmasore. Pacienti i jep dhimbjes së përbrendshme cilësi si: e shurdhët, shtypëse apo e gjerë (sikur përpiqet të zgjerohet). Kur pacienti ka dhimbje nga organet e brendshme merr një qëndrim sikur “paloset më dysh”. Dhimbja nga organet e brendshme projektohet në linjën e mesit të trupit.

Projektimi i dhimbjes në periferi ndjek ligjin e metamerëve: nervi i përbrendshëm dhe nervi somatik që ndajnë të njëjtin metamer hyrës, ndajnë në mënyrë trashanike të njëjtin territor të perceptimit të dhimbjes.

Pavarësisht diferencave mes dy tipave të dhimbjes, jo gjithnjë është e mundur të dallhet e diferencohet dhimbja somatike nga ajo e përbrendshme. Kjo për shkak të mënyrës sesi stimuli algogjen – apo më mirë të them, ndjenja alogogjene ngase kjo mund të lind edhe në mungesë të një stimuli mirëfilli të identifikueshëm – përpunohet nga koreja trunore dhe se si projektohet në periferi.

Kjo mënyrë e perceptimit të ndjenjës algogjene shpesh nuk e bën të mundur dallimin mes zonave të interesuara.

Për shembull, nëse ekziston një dëmtim i nervit somatik që inervon pjesën lëkurore të zonës prekordiale, ku në shembullin tonë është e pranishme dhimbja, perceptimi i dypërmasorllëkut dhe sipërqasësisë së dhimbjes nuk është është i qartë, e kështu mjeku apo kushdo që i shërben të mirës së pacientit duhet të ketë gjithnjë parasysh se kjo dhimbje mund të ketë origjinë nga organet e përbrendshme si zemra apo aorta etj.

Kjo është arsyeja për të cilën përballë një dhimbjeje të perceptuar në zonën prekordiale, ku nuk mund të identifikohet një shkak apo origjinë somatike e qartë, është gjithnjë e këshillueshme ekzekutimi i një elektrokardiogrami (EKG) për të përjashtuar kardiopatinë iskemike. Sidomos nëse nuk flitet për një pacient në moshë të re; ndryshoret janë të shumta e një mjek i mirë duhet të eliminoj më parë ato më të rrezikshmet për jetën e pacientit.

Për të qenë plotësisht të ndërgjegjshëm, apo për të patur një kuadër më të plotë, duhet të përmend edhe një veçori anatomike e fiziologjike të rëndësishme. Atë që shpesh në një metamer hyjnë nerva të përbrendshëm (visceral) nga organe mjaft të largët nga zona sipërfaqësore e inervuar nga nervo somatik përkatës.

Për shembull, dhimbja kardiake përçohet nga nervat kardiakë, disa nga të cilët kanë aferenca drejtë metamerëve të kraharorit, ndërsa disa të tjerë drejt metamerëve çervikalë (të qafës). Kështu, mund të kuptohet se si dhimbja e evokuar apo e ngjallur nga një infarkt kardiak mund të perceptohet edhe në nivel mandibular (të nofullës së poshtme), ose vetëm mandibular, e kështu të ngatërrohet me një problem odontoiatrik.Një tjetër shembull përfaqësohet nga dhimbja frenike: nervat frenikë, ata që inervojnë kupolat diafragmatike, hyjnë në metamerët çervikalë , e kështu një dëmtim i njërës prej kupolave diafragmatike jep një dhimbje qëprojektohet lartë, në rajonin akromial dhe në sjakin e përparëm të muskulit trapez; pra një rajon anatomik mjaft i largët nga diafragma apo projektimi i kësaj në sipërfaqen lëkurore.

© mbi tekstin, Rinstinkt Rat 2013