Hyrje » Ekonomi
Arkiva Kategorie: Ekonomi
Liberalizmi, mbirregullimi dhe rasti i Greqisë
Liberalizmi, mbirregullimi dhe rasti i Greqisë
Theodor Aleksiu
[Ç’farë është dhe çfarë nuk është liberalizmi…]
Së pari do të doja të sqaroja çfarë është liberalizmi dhe veçanërisht çfarë nuk është ai.
Në një fjali, Liberalizmi është dashuria për lirinë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dashuria për ekonomi të lirë, shoqëri të hapur, drejtësi dhe meritokraci.
Më interesante është se çfarë NUK është Liberalizmi. Në këtë pikë do të doja të theksoja se ata që akuzojnë liberalizmin, zakonisht ankohen për pronat që nuk kanë. Pra Liberalizmi nuk është rritja e taksave, nuk është ekzistenca e një bashkëpunimi të ngushtë midis oligarkëve dhe oligopoleve me shtetin (ky është korporatizmi), nuk është përqendrimi i pushtetit në duart e një pakice.
Shpesh lind pyetja se ku gjendet liberalizmi në programet e partive politike, nga e majta ekstreme në të djathtën ekstreme. Përgjigja është se Liberalizmi është jashtë këtyre programeve. Ai ka mundësinë të shikojë nga lart të gjithë këtë mjedis dhe të bëjë sugjerime politike të ideve dhe praktikave që mund të zbatohen realisht në çdo rast.
Prandaj, Liberalizmi ka tri dimensione:
Liberalizmi ekonomik, i cili është i shprehur nga hapja e tregjeve, liberalizimi i lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, sipërmarrja e lirë. Liberalizmi social, në të cilin të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe duhet të jetojnë të tillë, pa racizëm, margjinalizim etj. Më i rëndësishëm, dhe ndonëse më pak i spikatur është dimensioni i tretë i liberalizmit. Do ta quaja “Liberalizëm të Brendshëm”. Ajo është ndjenja e nevojës për liri që çdo njeri mbart brenda tij. Kjo ndjenjë që motivon për të përparuar, për të punuar, për të lëvizur dhe për të ndjekur çdo mundësi për liri. Është kjo ndjenjë që të gjitha regjimet totalitare përpiqen ta shkelin, por është dhe ajo vetëndjenjë që i rrëzon të gjitha këto regjime.
Le të flasim tani për mbirregullimin
Historikisht, mbirregullimi ndodh kur në pushtet janë qeveri totalitare, edhe pse në fillim kishte të bënte më shumë vetëm me taksat e tepërta. Kishte disa pasoja reale dhe të këqija. Për shembull, në kohën e perandorit Dioklecian tregohet se “Shqyrtimi i veprimtarisë ekonomike të njerëzve lindi nga burokracia e rëndë, e gjerë, e shtrenjtë dhe e korruptuar e Dioklecian-it. Për të mbështetur këtë burokraci – ushtrinë, gjykatat, punët publike, si dhe përfitimet – niveli i taksave arriti lartësi të tilla që njerëzit humbën motivimin për të punuar apo të fituar, dhe kështu filloi një konkurrencë ligjore erozive midis avokatëve, të cilët përpiqeshin për të gjetur mënyra për të shmangur taksat dhe juristëve, të cilët bënin ligje për të goditur në evazion fiskal. Mijëra romakë, për t’u shpëtuar taksave u larguan përtej kufirit për të kërkuar strehim mes barbarëve. Duke u përpjekur për të kontrolluar lëvizjen dhe të lehtësonte rregullimin dhe taksimin, qeveria shpalli dekrete që i mbante të lidhur fermerët me tokën e tyre dhe punëtorët me kompanitë në të cilat ata punonin derisa të paguheshin të gjitha borxhet dhe taksat. Falë këtyre masave, dhe të tjera si këto, lulëzoi bujkrobëria mesjetare (The Lessons of History, by Will and Ariel Durant).
Por çfarë është “mbi-rregullimi”?
Në bazë të fjalorit Collins: “Mbirregullimi është aplikimi i zgjeruar i rregullave dhe rregulloreve”.
Por, për cilët janë të dobishme rregullat e tepërta? Edhe pse duket se rregullat dhe ligjet mbrojnë të dobëtit, në fakt, rregullat e tepërta paraqesin probleme serioze për njerëzit e zakonshëm dhe biznesin e vogël dhe të mesëm, ndërkohë që ndërmarrjet e mëdha dhe oligarkët kanë ushtritë e avokatëve dhe gjithmonë gjejnë mënyra për të shpëtuar nga këto ligje dhe nëse është e nevojshme madje edhe t’i ndryshojnë ato. Kështu mbirregullimi u leverdis burokratëve, duke lënë të paprekur biznesmenët e mëdhenj dhe oligarkët, ndërkohë që goditen njerëzit e zakonshëm.
Dhe le të shkojmë tani në pjesën e dytë dhe të shohim situatën në Greqi dhe sesi mbirregullimi e çoi atë në krizë.
Sipas studimit të fundit nga OECD, në Greqi ka mbi 1000 rregullore lidhur me mbirregullimin! Dhe sipas një studimi tjetër të OECD-së, Greqia është vendi i parë i BE-së në lidhje me indeksin e tregut.
Le të shikojmë në tre shembuj mbirregullimin në Greqi.
“Kabotazh” është detyrim i kompanive të transportit (mallra ose njerëz), që një përqindje e caktuar e punëtorëve të tyre të janë qytetarë të vendit në të cilin ata e kryejnë aktivitetin e tyre. Kjo shkaktoi probleme në Greqi në industrinë e lundrimit, pasi asnjë nga kompanitë e mëdha të transportit detar ose kroçere që bëjnë udhëtime turistike në Mesdhe nuk e plotësojnë këtë rregullore, kështu portet greke nuk mund të pranonin asnjë anije! Tregues i dëmtimit afatgjatë te turizmi grek nga ky rregull është fakti se heqja e kabotazhit solli vetëm gjatë vitit të parë, në portin e Igumenicës, një port rajonal, 26 kroçere, duke sjellë rreth 12 000 njerëz!
Një shembull i dytë, dhe me një anë qesharake, është liberalizimi i transportit. Logjika e biznesit thotë se çdo ndërmarrje që ka mjete transportues të mund të transportojë sende të biznesit nga qyteti A në qytetin B dhe në kthim kamioni do të mund të transportojë artikuj të një pale të tretë, me pagesë ose jo, nga qyteti B në qytetin A.
Kjo është një logjikë e thjeshtë, por jo në shtetin grek, pasi kjo veprimtari e fundit është e ndaluar, edhe pse kjo është një kosto që do t’i ngarkohet pa arsye kompanisë dhe më pas konsumatorit.
Por memorandumi i nënshkruar nga qeveria greke e detyroi atë të lejojë transportin dhe të shfuqizojë këtë rregullore. Me heqjen e kësaj rregulloreje, kompani të ndryshme të makinave me qira reklamonin mundësinë e marrjes me qira të një furgoni dhe kryerjen e transporteve me të. Shteti grek dy muaj pas miratimit të këtij ligji votoi një rregullore, e cila thoshte se nga njëra anë mund të merrje lirisht me qira një kamion të vogël për transport, por me një periudhë minimale të qirasë për 2 vjet!
Shembulli i tretë dhe i fundit është rasti i famshëm i liberalizimit të profesioneve të “mbyllura”. Profesione të mbyllura janë ato të cilat për t’i ushtruar duhet të ndiqen rregulla të ndryshme, duke marrë licencat, leje etj. Ndër këto profesione janë edhe ato të floktores, të klounit në festa për fëmijë, guidë turistike etj! Besoj nuk ka nevojë të them asgjë më shumë
Një prej mendimtarëve të preferuar të mi liberalë, ish-presidenti amerikan, Thomas Jefferson thoshte: “Shteti i madh krijon shtetin e keq”. Duke thënë këtë, dua të mbyll fjalën time dhe ju falënderoj për vëmendjen tuaj.
–
* Këshilltar Biznesi; Ekspert i Programeve të Bashkimit Europian; Anëtar i Aleancës Liberale. Fjala e mbajtur gjatë Forumit të Tiranës për Liri Ekonomike, organizuar në Tiranë nga Fondacioni për Liri Ekonomike
Burimi: Mapo.al
Mbi neoliberalizmin në qeverisje dhe në ekonomi
Mbi neoliberalizmin në qeverisje dhe në ekonomi
Neoliberalizmi në qeverisje dhe ekonomi është rihedhja në tregun e politikave ekonomike të pikëpamjeve dhe ideve të “laissez faire”, shoqëruar me pikëpamjet dhe idetë që mbështesin liberalizimin e ekonomisë, tregtinë e lirë dhe reduktimin e shpenzimeve qeveritare, me synim zgjerimin e sektorit privat në ekonomi. Neoliberalizmi është një filozofi ekonomike që e ka fillesën në vitet 1930, kryesisht nga studiuesit europianë të ekonomisë.
Pikëpamjet e sotme për ekonominë liberale lidhen ngushtë edhe me teoritë ekonomike të dy ekonomistëve me më shumë influencë në ekonominë botërore: Friedrich Hayek dhe Milton Friedman, teori që u vunë në praktikë nëpërmjet politikave ekonomike mjaft të suksesshme të Margaret Thatcher në Britaninë e Madhe dhe Ronald Reagan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në ditët tona, neoliberalizmi në ekonomi lidhet më së shumti me politikat liberale të privatizimit, hapjes së tregjeve dhe derregullimeve. Neoliberalët e sotëm kanë për bazë Shoqërinë Mont Pelerin, e krijuar në vitin 1947 nga Friedrich Hayek (ekonomist austriak), me synim për të mbledhur së bashku mendimtarët dhe figurat politike neoliberale që kishin arritur të kuptonin se deri në atë kohë ishin bërë shumë gabime në kuptimin e teorive ekonomike dhe në implementimin e tyre në praktikë.
Ishin idetë neoliberale ato që në fakt ndihmuan Gjermaninë e pasluftës dhe babain e ekonomisë gjermane, Ludwig Erhard, në rindërtimin e vendit. Erhard ishte një nga anëtarët e Shoqërisë Mont Pelerin.
Edhe arritjet e mëdha të ekonomisë së një prej vendeve të Amerikës Latine, Kili, pas rënies së regjimit të Pinoçetit, u kushtohen ideve neoliberale dhe kjo sepse në vitin 1955 disa studentë kilianë u ftuan në Shkollën Ekonomike të Çikagos për të vazhduar studimet nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Milton Friedman, duke qenë të ekspozuar edhe ndaj ideve të Hayek. Kur u kthyen në vendin e tyre, ata bënë përpjekje për të aplikuar idetë e shkollave ekonomike të Çikagos dhe të Vjenës dhe kjo bëri që një vend ku më shumë se 40% e popullsisë jetonte nën vijën e varfërisë, të rilindte përsëri me një pikësynim të qartë për krijimin e shtresës së mesme, që çon përpara shoqërinë.
Në Australi, politikat ekonomike neoliberale janë ndjekur nga të dy krahët politikë, të majtë e të djathtë, që në fillim të viteve 1980, nën atë që është quajtur liberalizimi ekonomik në vazhdimësi dhe programi i reformave makroekonomike dhe mikroekonomike. Atje u privatizuan korporatat shtetërore, u bë derregullimi i tregjeve të faktorëve të prodhimit, u la i lirë kursi i këmbimit të monedhës, u reduktuan proteksionet tregtare, u bë një reformë tërësore në sigurimet shoqërore dhe u përmirësuan procedurat e financimit të universiteteve. Tashmë Australia renditet midis vendeve të zhvilluara me mirëqenien në rritje për tërë shtresat e popullsisë.
Singapori së bashku me Hong Kongun, Korenë dhe Tajvanin, të njohur si Tigrat e Azisë, mbështetur në idetë dhe praktikën neoliberale kanë arritur rritje të shpejtë dhe të fortë ekonomike dhe industrializim të shpejtë në pak vite. Në këtë lloj neoliberalizmi të këtyre vendeve bëhet fjalë për një ekonomi tregu sociale, ku në qendër të vëmendjes janë siguria dhe drejtësia sociale.
Megjithatë, unë mendoj se pavarësisht nga modeli ekonomik i ndjekur dhe kushtet e vendit ku aplikohen pikëpamjet neoliberale, duhet theksuar fakti i evoluimit të liberalizmit praktik të David Hume dhe Adam Smith në Britaninë e Madhe dhe liberalizmit teorik të Descartes (Rëne Dekart) dhe Rousseau (Zhan Zhak Ruso) në Francë, që me një vështrim evolucionar drejt lirisë arritën të krijojnë një botë të re, duke lënë mënjanë tërë idetë dhe pikëpamjet e vjetra të kohës, përballë teorive racionaliste që në ditët tona synojnë të marrin ngjyra komuniste, fashiste dhe/ose social-liberale.
Në thelb të neoliberalizmit qëndron fuqia e ligjit dhe respektimi i tij. Sipas neoliberalëve, në aspektin njerëzor, një shoqëri me liri të madhe dhe me një kohezion social do ishte idealja për zhvillim dhe prosperitet, ku mbrojtja e sferës personale dhe e dinjitetit njerëzor të mbeten parime thelbësore, duke qenë të barabartë para ligjit, ku të ketë ndarje të fuqive dhe të ekzistojë konstitucionalizmi reflektues, ndërsa në aspektin ekonomik, neoliberalizmi synon adoptimin e ndërhyrjeve minimale të qeverisë në ekonomi dhe lidhet ngushtë me konceptet e deficitit buxhetor, shpenzimeve qeveritare, reformave në sistemin e taksave dhe tatimeve, normën e interesit, kursin e këmbimit, liberalizimin tregtar dhe të llogarive kapitale, procesin e privatizimit, eliminimin dhe shmangien e barrierave dhe pengesave të tjera në tregje etj.
Sipas pikëpamjeve neoliberale në ekonomi, arma e deficitit të lartë buxhetor duhet të përdoret vetëm në raste okazionale, pasi deficiti buxhetor duhet mbajtur në nivele të ulëta, për të patur nivel të ulët inflacioni dhe nivel të lartë produktiviteti, duke patur parasysh që deficiti i lartë buxhetor është një pagesë në kurriz të brezave të ardhshëm.
Në lidhje me shpenzimet qeveritare, neoliberalët synojnë ridrejtim të tyre nga subvencionet dhe shpenzimet e tjera, drejt elementeve që janë kryesore për rritjen ekonomike si edukimi, shëndeti primar, investimet në infrastrukturë etj.
Reformimi i sistemit të taksave, tatimeve dhe pagesave të tjera me synim zgjerimin e bazës së tatueshme dhe adaptimin e pagesave margjinale të taksave për të inkurajuar rinovimin teknologjik, aftësinë sipërmarrëse, eficiencën dhe efektivitetin, me synim rritjen e produktivitetit, është një nga parimet kryesore të neoliberalëve.
Gjithashtu, përcaktimi i normave të interesit dhe kursit të këmbimit nga vetë tregu, paralelisht me liberalizimin tregtar të importeve, me synim eliminimin e kufizimeve të tyre në sasi, licenca dhe legjislacion, për të arritur tarifa uniforme që inkurajojnë konkurrencën dhe rritjen ekonomike afatgjatë, janë pikësynime të tjera të neoliberalëve.
Së bashku me këto, neoliberalët mbështesin edhe liberalizimin e llogarive kapitale në bilancin e pagesave, në mënyrë që të lejohen subjektet të kenë mundësinë për të investuar fonde jashtë shtetit, fonde që të kenë edhe mundësinë praktike të sillen në vendin e origjinës së subjektit për t’u investuar.
Edhe privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, duke nxitur tregun e lirë të mallrave dhe shërbimeve, si dhe eliminimi dhe shmangia e rregullimeve që kufizojnë hyrjen në treg dhe konkurrencën, me përjashtim të atyre çështjeve që justifikohen nga ana e sigurisë, mjedisit dhe bazat e mbrojtjes së konsumatorëve, duke patur edhe siguri ligjore për të drejtat e pronësisë, janë pikësynime të tjera të neoliberalëve dhe kjo për faktin e vetëm dhe të padiskutueshëm se qeveria, cilado qoftë ajo, nuk mund të jetë aq eficiente dhe efektive sesa sistemi i konkurrencës.
Parë nga ky këndvështrim neoliberal, unë mendoj se është e dukshme që Shqipëria dhe ekonomia e saj, në të vërtetë, janë shumë larg të qenit vend kapitalist në zhvillim me ekonomi tregu neoliberale.
Burimi: MAPO.al (19 Shkurt 2015)
Intervistë me David Boaz nga reason.tv
Intervistë me David Boaz nga reason.tv
Një intervistë e re dhe tepër interesante nga reason.tv me David Boaz-in, që trajton tema të ndryshme të politikës amerikan, ekonomisë, shoqërisë dhe filozofisë.
David Boaz, executive vice president of the Cato Institute
Libertarianism: A Primer (1998) – David Boaz
Libertarianism (Encyclopædia Britannica) – David Boaz
Twitter – David Boaz