Hyrje » Civilizim
Arkiva Kategorie: Civilizim
Snobët e kulturës
Snobët e kulturës
Pierluigi Battista
Më parë akuzonin romanet, sot videolojrat dhe tabletët. Por progresi është një osmozë
Mario Vargas Llosa, një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të shenjë dhe, me meritë, më të njohur, disa shekuj më parë do të ishte konsideruar një shkrimtaruc që ka qëllim minimin e pastërtisë së Kulturës së Madhe. Në librin e vet të fundit La civilta dello spettacolo (Einaudi) Vargas Llosa shkrepëtin kundër ligësive të kulturës së masës, tall atë tërësi zakonesh të degraduara që përkufizojnë në mënyrë apokaliptike demokracinë kulturore të përbërë “ekskulzivisht nga filma, programe televizive, videolojra, koncerte rrok, pop dhe rrep, video dhe tablet”. Praktikisht kolegët e tij romancierë në Europën e Tetëqindës konsideroheshin në të njëjtën mënyre: disa dështakë, sabotatorë të qytetërimit tonë. Ndryshojnë shenjestrat e sharjeve, por ankesa mbi shëmtitë e demokracisë kulturore, ajo nuk ndryshon kurrë. (më tepër…)
Epilogu i një përkujtimi
Epilogu i një përkujtimi*
Evis Nasto

Evis Nasto
Pak ditë më parë na u desh të përkujtonim një ngjarje të dhimbshme, e cila përfaqëson një përjashtim nga klisheja se “koha shëron çdo plagë”. E dini përse? Sepse për çudi, sa herë që 21 janari përkujtohet, pezmatimi përzihet me mllefin që rritet vit pas viti bashkë me ndërgjegjësimin për falsitetin e politikës. Këtë datë nuk e harrojmë dot sa kohë që së kaluarës nuk i është vënë kapak, por paradoksalisht as nuk e kujtojmë dot pa përdhosur katër viktimat e asaj ngjarjeje.
Ashtu sikurse çdo vit, edhe këtë herë dritat e prozhektorëve për të shprehur kinse solidaritetin e tyre i morën ata që yshtën turmën drejt bulevardit, ata që u shndërruan në shkak të manifestimit dhe ata që humbën kontrollin e situatës. Është e neveritshme sesi, ende pas tri vitesh kur kurmi i trupave që prehen nën dhe ka nisur procesin fiziologjik të tretjes, politika vazhdon të përdorë të njëjtin zhargon, duke i ndyrë edhe më tepër duart në një histori makinacionesh për pushtet. E meqë ferri ishte krahasimi që u përdor për drejtësinë e munguar për këtë ngjarje nga kreu i qeverisë, do të citoja sërish për paralelizëm kreun e lartë të një shteti tjetër, i cili, i gjendur përballë dhunës së skajshme që prodhonte racizmi në fillim të viteve ‘60 në Shtetet e Bashkuara, shkruante se vendi më i nxehtë në ferr u ruhet atyre që në periudha krizash të forta morale, mundohen të ruajnë neutralitetin. Sigurisht që lidhja me Shqipërinë nuk qëndron tek aparteidi i Amerikës së atyre viteve, por kriza e moralitetit që po prodhon kjo shoqëri me këtë klasë politike është krejtësisht e dukshme, veçanërisht kur preken kufijtë e vdekjes dhe me to luhet. E pra, në periudha krizash të tilla, fjalimet me dorashka, ku protagonistët dhe aktorët dytësorë mundohen të distancohen nga ngjarjet, dhe marrin thuprën e pseudomoralistit për të treguar shëmtinë e dramës njerëzore të asaj dite, është shkalla më epërme e ferrit shqiptar. Duhet të kesh stomak të fortë për të përtypur dogma të tilla për të tretin vit radhazi dhe aq më të fortë duhet të kesh vetëpërmbajtjen për të mos i pështyrë dyfytyrësisë së politikës. Gjithë artikulimi publik i udhëheqësve, të zgjedhur prej nesh, gjatë javës që lamë pas, ishte një mizori edhe më e madhe sesa shëmtia e vetë dhunës së 21 janarit. E drejtë mund të jetë pyetja: a duhej të heshtte politika në përkujtimin e ngjarjes? A mundet që kjo mazhorancë dhe kreu i saj të mos kujtonin një ndër çështjet kyçe gjatë fushatës opozitare? A ekzistonte mundësia që mos të reagohej më pas nga kundërshtarët politikë?
Nëse ndjekim linjën e racionalistëve praktike si Nikolo Makiaveli, atëherë pohojmë se qëllimi kryesor i politikanit është t’i sigurojë shtetit dhe komunitetit rendin publik. Ky objektiv duhet të shndërrohet në fokusin e punës së politikanit, pa përllogaritur disavantazhet që mund të sjellë për individin. Sipas Makiavelit, politika është një territor që vepron në mënyrë krejtësisht autonomë nga moraliteti. Thënë ndryshe, e rëndësishme, për mendimtarin Makiavel, mbetet qëllimi që justifikon përdorimin e çfarëdolloj mjeti. Cili ishte qëllimi që u arrit pas 21 janarit? Përpos kaosit, ndjesisë së hidhur të dhunës përzier me një reminishencë të ’97 –ës, nuk besoj se në nivel komunitar arriti të prodhonte gjë tjetër. Të njëjtën gjë mund të themi për shtetin. Institucionet e tij u tentuan të diskreditoheshin duke ju vënë në diskutim kapacitetet menaxhuese të një situate kritike. Edhe nëse politikanët tanë do të ishin të gjithë kandidatë për princër makiavelikë, mund të thuhet pa drojë se kanë tejkaluar edhe doktrinën më pragmatiste të periudhës mesjetare. Skenat që prodhoi ngjarjen e 21 janarit, cilatdo qofshin rrethanat, tregoi dukshëm pas tre vjetësh se nuk ishte e orientuar kundrejt asnjë qëllim komunitar, ashtu sikurse pretendohej në kauzën e mëhershme me të cilën u drejtuan thirrjet për të dalë në shesh. Jo vetëm kaq, por ajo nuk i shërbeu as qëllimeve të ngushta të politikës për të marrë pushtetin, sepse në fund rotacioni u krye ashtu sikurse duhet të ndodhte në çdo vend demokratik të botës së lirë; përmes zgjedhjeve. Për familjarët e atyre katër viktimave që mbetën në atë bulevard, për ata njerëz që mbështetën atë ditë kauzën opozitare, por edhe për të gjithë shqiptarët që u bënë spektatorë të dhunës së padëshiruar, a mund të thotë sot, dikush pas tre vitesh, se për çfarë shërbeu e gjithë kjo?
Teksa dëgjoja të afërmit e Faik Myrtajt, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Ziver Veizit, të cilët në tymnajën e kësaj ngjarje gjysmë të ndriçuar, ende fajësonin vetëm njërën palë, mu kujtua një copëz historie që Joseph Ramoneda shkruante tek “Fundi i një pasioni politik”. Si ilustrim për despotizmin, ai përmendte një spanjoll të mërguar në Bashkimin Sovjetik, i cili edhe pse ishte i burgosur në një gulag, kujtonte me dhembje vdekjen e Stalinit. Pasi ky ishte i bindur se Stalini ishte i vetmi, që mund ta shpëtonte dhe se fatkeqësia e tij vinte nga papërgjegjshmëria e funksionarëve të mesëm të revolucionit proletar, të cilët qenë të korruptuar. Në mendjen e tij, ditën që Stalini do e merrte vesh se çfarë i kishte ndodhur, atëherë do të ndreqte këtë padrejtësi. Kjo varësi psikologjike ndaj pushtetit, në kushtet e pasigurisë totale është po kaq e rrezikshme edhe në Shqipëri. Ashtu sikurse në Spanjën dikur fashiste, edhe në një vend me një të kaluar diktatoriale sikurse është dhe shoqëria shqiptare, tundimi i pushtetit ndaj qenies despotik, jo rrallë gjatë këtyre 23 viteve ka treguar se është në gjendje të shkatërrojë moralin e të gjithëve, duke molepsur jo vetëm viktimën por edhe xhelatin. Janë pikërisht marrëdhëniet e shfrytëzimit të ndërsjellë, ato që rrisin demoralizimin dhe bëjnë që kufijtë mes të fituarve dhe të humburve të zhduken. Njëzetenjë janari ishte një ditë ku padyshim që të gjithë humbëm. Në atë bulevard së bashku me katër viktimat është vrarë besimi i njerëzve të thjeshtë dhe është thyer konsensusi që politika kishte me qytetarinë, në respekt të atyre parimeve që mishërojnë demokracinë.
*[Shkrimi është botuar tek gazeta MAPO. Përcillet këtu pa leje nga gazeta apo autorja.]