Qark & Qarkull

Kalendar

Qershor 2023
H M M E P S D
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

Arkiva

Borxhi grek, valuta europiane dhe inflacioni

Borxhi grek, valuta europiane dhe inflacioni

Pothuajse të gjithë NUK e kuptojnë arsyen themelore përse Greqia nuk “del dot vetë” apo nuk “e zgjidh dot vetë” krizën, në të cilën është futur vetë dhe me ndihmën e eurokratëve.
Arsyeja është se qeveria greke nuk shtyp dot para, pra nuk e inflacionon dot valutën që përdoret më së shumti në Greqi… dhe që është valuta e quajtur euro. Euroja është valuta e BE dhe kontrollohet nga BQE, që është Banka Qëndrore Europiane
(Për ata që nuk e dinë se çfarë funksionesh ka një BQ, dhe nëse i ka të mira apo të kqija këto funksione, unë nuk i shpjegoj dot me këtë postim të shkurtër. Por po them vetëm se konceptin e Bankës Qëndrore e gjeni ndër 10 pikat e manifestit komunist të z. Karl Marks.)
Nëse grekët do të kishin monedhën e vet – dhe kjo është arsyeja përse Greqia do të dilte nga përdorimi i valutës së përbashkët Euro – qeveria greke do ta inflaciononte atë, duke e zhvlerësuar. Sa më shumë dhrami do të shtypte qeveria greke për të paguar borxhin, aq më shumë do të binte vlera e këtyre dhramive jo vetëm në krahasim me valutat e tjera, si psh me lekun, apo me euron, por do të blinte fuqia blerëse e atyre që do të zotëronin këtë valutë. Pra do të binte fuqia blerëse e grekëve të thjeshtë. Dhe sa më pak valutë të kesh në dispozicin aq më e madhe do të jetë vjdhja që qeveria i bën vlerës së valutës kur e inflacionon atë. [Qeveria mund ta inflacionojë valutën edhe në raste të tjera, si psh kur robt kërkojnë gjëra falas, apo kur kërkojnë projekte të cilat nuk ua mban xhepi, vetëm sepse ndonjë burkokrat qeveritar u thotë se është në interesin kombëtar, apo se do të japi shtysë ekonomisë…]

P.S: Fakti që grekët nuk inflacionojnë dot euron, por duhet t’i luten BQE-së për borxh/kredi [siç po bën qeveria shqiptare aktualisht, por siç ka bërë edhe ajo e kaluara] nuk është doemos gjë e mirë, në terma ab solut. Thjeshtë ndryshon aktori i lojës.

Për ata që nuk e dinë, ka një ndryshim themelor mes termit valutë dhe termit para. Kjo e fundit e ruan vlerën e vet në terma afatgjatë dhe nuk mund të manipulohet thjeshtë nga qeveritë. Ndërsa valuta, qoftë në copa letre pa vlerë apo në formë digjitale (pa e ngatërruar me bitcoinin sepse ka një teknologji specifike nga pas) mund të inflacionohet nga qeveritë për qëllimet e tyre…

Mund të vazhdojë më tej ndonjë ditë tjetër…

Ardian Vehbiu, si tutor i prostitucionit intelektual

Ardian Vehbiu, si tutor i prostitucionit intelektual

Kastriot Myftaraj

Përse është e nevojshme që dikush të pohojë se nuk është kuqezi, duke i etiketuar ata që ndjehen të tillë dhe e pohojnë këtë cilësi? Çfarë arsye ka për këtë distancim, çfarë lloj proteste na qenka kur dikush thotë: “Unë nuk jam kuqezi!”? Çfarë fibre qytetare (term i Ardian Vehbiut) ka ky term? Kuqezi është një cilësi identitare, ashtu siç është, me ngjyrat përkatëse një cilësi identitare e ngjashme në SHBA, ku jeton Ardian Vehbiu, apo në Francë, Greqi, Japoni etj. Gjithkush që është shqiptar ka të drejtë të pohojë identitetin e tij kuqezi, me fjalë dhe simbolikë imazhi.

Kjo është një gjë vullnetare, një demokraci imazhi, se askush nuk të imponon që ta pohosh cilësinë identitare kuqezi. Është një lloj plebishiti gjithëkombëtar spontan, i shndërruar tashmë në ritual, me rastin e ngjarjeve sportive. Çfarë të keqe ka këtu? Gjithkush ka të drejtë që ta pohojë sipas mënyrës së tij dhe dihet se me rastin e ngjarjeve sportive, shtresat e gjera të shoqërisë janë të prirura kah pohimi identtitare nëpërmjet ritualeve kolektive nën shenjën e ngjyrave përkatëse. Kështu ndodh gjithandej botës, jo vetëm në Shqipëri. Askund në këta vende kjo gjë nuk shkakton shqetësime. Askush në këta vende nuk e shikon një gjë të tillë si provokim. Në të kundërt, të thuash se “Unë nuk jam kuqezi!” është një provokim i dhunshëm verbal pa shkak ndaj shumicës. Është një provokim që prek në ndjeshmëritë kolektive, pra është një provokim i llogaritur për të shkaktuar reagim. Domethënë, meqënëse ata të cilët e quajnë një vlerë komunitare dhe personale pohimin e identitetit të tyre kuqezi, nuk janë dhe nuk ka si të jenë në shumicën e tyre intelektualë, pra nuk ka gjasa që ta perceptojnë këtë sfidë si një debat intelektual, që duhet zhvilluar sipas etikës së debatit, por si një provokim, atëherë kështu do të nxiten ata që të përgjigjen me dhunë verbale, qoftë edhe në mediat sociale dhe forumet online. Dhe pastaj ky reagim përdoret për ta etiketuar njeriun kuqezi si konfliktual.

Provokime të tilla organizohen para ngjarjeve të rëndësishme sportive, siç ishte rasti i ndeshjes Shqipëri-Armeni. Për këto lloj provokimesh janë të specializuar sorosianët shqiptarë, ndër ta edhe Ardian Vehbiu. Pas ndeshjes Shqipëri-Armeni, Ardian Vehbiu, në një shkrim të botuar në blogun e vet “Peizazhe të fjalës” dhe që u ribotua nga gazeta “Mapo” e sorosianit Henri Çili, dhe në të tjera gazeta e forume sorosiane, pohoi atë që ishte e qartë, se shkrimi i një vajze 20 vjeçare, me titullin provokues, “Unë nuk jam kuqezi” të publikuar në blogun e tij para ndeshjes, ishte në fakt një skenar provokues i tij. Pas ndeshjes, Ardian Vehbiu, në një shkrim të botuar blogun e tij dhe të ribotuar po nga gazeta “Mapo” doli të vjelë frutet e provokimit që kishte mbjellë. Vehbiu ua zuri për të madhe atyre që reaguan ndaj shkrimit “Unë nuk jam kuqezi”, duke i quajtur reagime të dhunshme, të pahijshme dhe që u mungon fibra qytetare. Ardian Vehbiu është një provokator intelektual i mbrapshtë. Është edhe më tepër se kaq, është një tutor ndërkombëtar prostitucioni intelektual.

Se janë shumë më pak të pandershëm se ai ata shqiptarë të cilët në emigracion, ku jetojnë bëjnë tutorin e prostitutave, të cilat për të nxjerrë jetesën shesin trupin e tyre. Ardian Vehbiu, i cili gjithashtu jeton prej shumë viteve në emigracion, në SHBA, gjen ndonjë femër njëzetvjeçare në rrethet sorosiane, për ta keqpërdorur mendërisht, duke e bërë zëdhënëse të ideve të tij të përpunuara në laboratorët sorosianë, në mënyrë që pastaj të ketë mundësi të dalë ai vetë për të reaguar kinse i habitur dhe i indinjuar ndaj pasojave të provokimit të tij. Është një qëndrim intelektual antietik.

Pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, tetorin e kaluar, një tjetër antikuqezi, Ermal Petushi botoi në gazetën “Tema” shkrimin me titull “Të dhjerë, por krenarë” që ishte përgjigje ndaj reagimit kuqezi të asaj që ndodhi në Beograd si dhe të dënimit që UEFA dha ndaj Shqipërisë. Në këtë shkrim Petushi thoshte se vërtet në Beograd na bënë një padrejtësi, por ne nuk kemi të drejtë ta kërkojmë fajin te të tjerët sa kohë që jemi “të dhjerë”, domethënë kur nuk jemi të barabartë me Europën. Por e tillë nuk është as Greqia, e cila është që prej 35 viteve anëtare e Bashkimit Europian, madje i ka krijuar Europës probleme më tepër se çdo vend tjetër. A e kanë mbyllur gojën grekët për shkak të kësaj? Aspak. A nuk kemi të drejtë ne shqiptarët të ankohemi edhe kur na bëjnë padrejtësi? Jo, thotë Ermal Nikollaq Petushi nga Lushnja.

Por le të kthehemi te Ardian Vehbiu. Problemi rëndohet për shkak se Ardian Vehbiu, i cili është i njohur për këto qëndrimi, vitin e kaluar fitoi çmimin e ndarë nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, si publicisti më i mirë. Kjo është loja e dyfishtë e Edi Ramës, i cili nga njëra anë shtiret kuqezi, në anën tjetër nxit dhe shëprblen dhunën intelektuale sorosiane ndaj kuqezinjve.

Vetëpohimi kolektiv kuqezi është një tregues i energjisë kolektive të njeriut shqiptar. Tashmë duhet gjetur mënyra që kjo energji të kanalizohet për të bërë punë të mira. Është gabim të thuhet se përse na shërben vetëpohimi kuqezi kur kur kemi këtë apo atë problem që e lemë pa zgjidhur. Vetëpohimi kolektiv kuqezi jo vetëm që nuk është një pengesë për t’ i zgjidhur problemet, por madje është një premisë psikologjike për të pasur disponimin e nevojshëm për t’ u marrë si shoqëri me këto probleme, në mënyrën e duhur.

Burimi: Gazeta Minerva (Arkivuar)

(më tepër…)

Liberalizmi, mbirregullimi dhe rasti i Greqisë

Liberalizmi, mbirregullimi dhe rasti i Greqisë

Theodor Aleksiu

[Ç’farë është dhe çfarë nuk është liberalizmi…] 

Së pari do të doja të sqaroja çfarë është liberalizmi dhe veçanërisht çfarë nuk është ai.

Në një fjali, Liberalizmi është dashuria për lirinë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dashuria për ekonomi të lirë, shoqëri të hapur, drejtësi dhe meritokraci.

Më interesante është se çfarë NUK është Liberalizmi. Në këtë pikë do të doja të theksoja se ata që akuzojnë liberalizmin, zakonisht ankohen për pronat që nuk kanë. Pra Liberalizmi nuk është rritja e taksave, nuk është ekzistenca e një bashkëpunimi të ngushtë midis oligarkëve dhe oligopoleve me shtetin (ky është korporatizmi), nuk është përqendrimi i pushtetit në duart e një pakice.

Shpesh lind pyetja se ku gjendet liberalizmi në programet e partive politike, nga e majta ekstreme në të djathtën ekstreme. Përgjigja është se Liberalizmi është jashtë këtyre programeve. Ai ka mundësinë të shikojë nga lart të gjithë këtë mjedis dhe të bëjë sugjerime politike të ideve dhe praktikave që mund të zbatohen realisht në çdo rast.

Prandaj, Liberalizmi ka tri dimensione:

Liberalizmi ekonomik, i cili është i shprehur nga hapja e tregjeve, liberalizimi i lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, sipërmarrja e lirë. Liberalizmi social, në të cilin të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe duhet të jetojnë të tillë, pa racizëm, margjinalizim etj. Më i rëndësishëm, dhe ndonëse më pak i spikatur është dimensioni i tretë i liberalizmit. Do ta quaja “Liberalizëm të Brendshëm”. Ajo është ndjenja e nevojës për liri që çdo njeri mbart brenda tij. Kjo ndjenjë që motivon për të përparuar, për të punuar, për të lëvizur dhe për të ndjekur çdo mundësi për liri. Është kjo ndjenjë që të gjitha regjimet totalitare përpiqen ta shkelin, por është dhe ajo vetëndjenjë që i rrëzon të gjitha këto regjime.

Le të flasim tani për mbirregullimin

Historikisht, mbirregullimi ndodh kur në pushtet janë qeveri totalitare, edhe pse në fillim kishte të bënte më shumë vetëm me taksat e tepërta. Kishte disa pasoja reale dhe të këqija. Për shembull, në kohën e perandorit Dioklecian tregohet se “Shqyrtimi i veprimtarisë ekonomike të njerëzve lindi nga burokracia e rëndë, e gjerë, e shtrenjtë dhe e korruptuar e Dioklecian-it. Për të mbështetur këtë burokraci – ushtrinë, gjykatat, punët publike, si dhe përfitimet – niveli i taksave arriti lartësi të tilla që njerëzit humbën motivimin për të punuar apo të fituar, dhe kështu filloi një konkurrencë ligjore erozive midis avokatëve, të cilët përpiqeshin për të gjetur mënyra për të shmangur taksat dhe juristëve, të cilët bënin ligje për të goditur në evazion fiskal. Mijëra romakë, për t’u shpëtuar taksave u larguan përtej kufirit për të kërkuar strehim mes barbarëve. Duke u përpjekur për të kontrolluar lëvizjen dhe të lehtësonte rregullimin dhe taksimin, qeveria shpalli dekrete që i mbante të lidhur fermerët me tokën e tyre dhe punëtorët me kompanitë në të cilat ata punonin derisa të paguheshin të gjitha borxhet dhe taksat. Falë këtyre masave, dhe të tjera si këto, lulëzoi bujkrobëria mesjetare (The Lessons of History, by Will and Ariel Durant).

Por çfarë është “mbi-rregullimi”?

Në bazë të fjalorit Collins: “Mbirregullimi është aplikimi i zgjeruar i rregullave dhe rregulloreve”.

Por, për cilët janë të dobishme rregullat e tepërta? Edhe pse duket se rregullat dhe ligjet mbrojnë të dobëtit, në fakt, rregullat e tepërta paraqesin probleme serioze për njerëzit e zakonshëm dhe biznesin e vogël dhe të mesëm, ndërkohë që ndërmarrjet e mëdha dhe oligarkët kanë ushtritë e avokatëve dhe gjithmonë gjejnë mënyra për të shpëtuar nga këto ligje dhe nëse është e nevojshme madje edhe t’i ndryshojnë ato. Kështu mbirregullimi u leverdis burokratëve, duke lënë të paprekur biznesmenët e mëdhenj dhe oligarkët, ndërkohë që goditen njerëzit e zakonshëm.

Dhe le të shkojmë tani në pjesën e dytë dhe të shohim situatën në Greqi dhe sesi mbirregullimi e çoi atë në krizë.

Sipas studimit të fundit nga OECD, në Greqi ka mbi 1000 rregullore lidhur me mbirregullimin! Dhe sipas një studimi tjetër të OECD-së, Greqia është vendi i parë i BE-së në lidhje me indeksin e tregut.

Le të shikojmë në tre shembuj mbirregullimin në Greqi.

“Kabotazh” është detyrim i kompanive të transportit (mallra ose njerëz), që një përqindje e caktuar e punëtorëve të tyre të janë qytetarë të vendit në të cilin ata e kryejnë aktivitetin e tyre. Kjo shkaktoi probleme në Greqi në industrinë e lundrimit, pasi asnjë nga kompanitë e mëdha të transportit detar ose kroçere që bëjnë udhëtime turistike në Mesdhe nuk e plotësojnë këtë rregullore, kështu portet greke nuk mund të pranonin asnjë anije! Tregues i dëmtimit afatgjatë te turizmi grek nga ky rregull është fakti se heqja e kabotazhit solli vetëm gjatë vitit të parë, në portin e Igumenicës, një port rajonal, 26 kroçere, duke sjellë rreth 12 000 njerëz!

Një shembull i dytë, dhe me një anë qesharake, është liberalizimi i transportit. Logjika e biznesit thotë se çdo ndërmarrje që ka mjete transportues të mund të transportojë sende të biznesit nga qyteti A në qytetin B dhe në kthim kamioni do të mund të transportojë artikuj të një pale të tretë, me pagesë ose jo, nga qyteti B në qytetin A.

Kjo është një logjikë e thjeshtë, por jo në shtetin grek, pasi kjo veprimtari e fundit është e ndaluar, edhe pse kjo është një kosto që do t’i ngarkohet pa arsye kompanisë dhe më pas konsumatorit.

Por memorandumi i nënshkruar nga qeveria greke e detyroi atë të lejojë transportin dhe të shfuqizojë këtë rregullore. Me heqjen e kësaj rregulloreje, kompani të ndryshme të makinave me qira reklamonin mundësinë e marrjes me qira të një furgoni dhe kryerjen e transporteve me të. Shteti grek dy muaj pas miratimit të këtij ligji votoi një rregullore, e cila thoshte se nga njëra anë mund të merrje lirisht me qira një kamion të vogël për transport, por me një periudhë minimale të qirasë për 2 vjet!

Shembulli i tretë dhe i fundit është rasti i famshëm i liberalizimit të profesioneve të “mbyllura”. Profesione të mbyllura janë ato të cilat për t’i ushtruar duhet të ndiqen rregulla të ndryshme, duke marrë licencat, leje etj. Ndër këto profesione janë edhe ato të floktores, të klounit në festa për fëmijë, guidë turistike etj! Besoj nuk ka nevojë të them asgjë më shumë

Një prej mendimtarëve të preferuar të mi liberalë, ish-presidenti amerikan, Thomas Jefferson thoshte: “Shteti i madh krijon shtetin e keq”. Duke thënë këtë, dua të mbyll fjalën time dhe ju falënderoj për vëmendjen tuaj.

 –

* Këshilltar Biznesi; Ekspert i Programeve të Bashkimit Europian; Anëtar i Aleancës Liberale. Fjala e mbajtur gjatë Forumit të Tiranës për Liri Ekonomike, organizuar në Tiranë nga Fondacioni për Liri Ekonomike

Burimi: Mapo.al